Pas vdekjes tragjike të sulmuesit portugez Diogo Jota në një aksident rrugor në Spanjë, klubi i Liverpoolit ka marrë një vendim simbolik dhe prekës: të tërheqë përfundimisht fanellën me numrin 20.
“Numri 20 do të përjetësohet për gjithmonë si një nderim për kontributin e jashtëzakonshëm të Diogos gjatë sezonit historik 2024-25, ku ai ndihmoi në fitimin e titullit të 20-të të klubit. Lëvizja e tij karakteristike dhe goli i fitores përballë Kop-it në derbin e Merseyside do të mbetet një kujtim i paharruar – goli i fundit i jetës së tij”, thuhet në njoftimin e klubit.
Jota iu bashkua Liverpoolit në vitin 2020 nga Wolverhampton për një shumë prej 44.7 milionë eurosh. Në katër sezone me “The Reds”, ai luajti 182 ndeshje, shënoi 65 gola dhe dha 26 asiste, duke u bërë një nga lojtarët më të dashur nga tifozët.
Klubi dhe tifozët në mbarë botën po e kujtojnë Jotën jo vetëm për aftësitë në fushë, por edhe për karakterin e tij të përulur dhe shpirtin luftarak që e karakterizonte.


