Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, njoftoi se vijon puna për lirimin e hapësirave publike të zëna prej vitesh nga pasuritë e sekuestruara dhe të konfiskuara.
Sipas tij, së fundmi është çliruar një tjetër zonë pranë lumit Vjosa, e cila prej rreth 15 vitesh ishte e mbushur me pasuri të luajtshme nën administrimin e Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
“Përmes ndërhyrjes së AAPSK, kjo hapësirë i rikthehet mjedisit dhe komunitetit, duke shmangur rreziqet e ndotjes”, u shpreh Lamallari.
Ai theksoi se ky veprim përbën një hap të rëndësishëm drejt rritjes së efikasitetit dhe transparencës në administrimin e pasurive të sekuestruara, si dhe në mbrojtjen e hapësirave publike.


