Presidentja e Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë”, Dr. Liri Berisha, promovoi librin e saj të dytë të titulluar “Më prano kështu siç jam”, një botim i dedikuar fëmijëve me spektrin autik dhe sfidave të përditshme të tyre dhe të familjarëve.
Libri përmban 11 rrëfime personale që pasqyrojnë vështirësitë emocionale, sociale dhe ekonomike me të cilat përballen personat me autizëm në Shqipëri. Gjatë fjalës së saj në përurim, Dr. Berisha bëri thirrje për më shumë mbështetje institucionale dhe financiare, duke theksuar se ndërgjegjësimi për autizmin duhet të shoqërohet me veprim konkret.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të botës akademike, profesionistë të fushës, gazetarë, si dhe prindër të fëmijëve me autizëm. Ndër ta ishin gazetarja Sonila Mlloja, analisti Artan Hoxha, mësuesja dhe nëna e një fëmije në spektrin autik Blerina Lala, si dhe doktoreshë Aida Bushati, të cilët ndanë reflektime për sfidat dhe nevojat që hasin çdo ditë.

I pranishëm ishte gjithashtu edhe lideri i opozitës, Sali Berisha, së bashku me familjarë të autorës. Ndër të ftuarit spikati edhe blogerja Armina Mevlani, partnerja e Shkëlzen Berishës e cila mori pjesë në aktivitet bashkë me prindërit e saj.
Përurimi u shoqërua me histori personale dhe mesazhe sensibilizuese që nxisin përfshirjen dhe pranimin e fëmijëve me autizëm në jetën publike dhe arsimore.


