Vendi ynë vijon të përballet me reshje të dendura, që kanë shkaktuar përmbytje dhe probleme serioze në disa qarqe. Qarku i Lezhës është më i godituri, ku bashkia Kurbin raporton përmbytje të tokave bujqësore dhe ujë të pranishëm në banesa dhe biznese.
Në fshatin Shpërdhet, rreth 80 familje mbeten të izoluara, pasi lumi Droje ka shembur rrugën hyrëse në një gjatësi prej rreth 100 metrash. Problema të mëdha ka edhe në rrugën që lidh fshatin Gallatë me Vinjollin, e bllokuar nga ujërat malorë që kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën.
Situata e vështirë është regjistruar edhe në Tropojë, Kukës dhe në aksin Skurraj–Burrel, ku rënie gurësh dhe inertesh ka penguar qarkullimin. Pasojat janë evidentuar edhe në akset Ersekë–Leskovik–3 Urat dhe Elbasan–Rrogozhinë–Qafë Thanë.
Grupet e punës së ARRSH dhe policia rrugore janë në terren për pastrimin dhe rikthimin e qarkullimit normal, ndërsa OSHEE ka vënë në dispozicion rreth 1,500 punonjës për rikuperimin e energjisë elektrike. Aktualisht, 26 fidera të rrjetit të tensionit të mesëm janë jashtë funksionit. Furnizimi me energji për hidrovorët vazhdon normal, ndërsa po monitorohet situata në Fierzë dhe Koman–Vau i Dejës, ku priten reshje deri në 80-130 mm.
Furnizimi me ujë në të gjithë vendin vazhdon të jetë normal, ndërsa në porte dhe aeroporte nuk raportohet ndonjë problem i rëndësishëm. Një vonesë e shkurtër pati vetëm në portin e Vlorës, ku trageti nga Brindizi priti rreth 4 orë në radë.


