Një ngjarje e mundshme kriminale është parandaluar nga Policia e Lezhës, në kuadër të operacionit të koduar “Reagimi”, pas ndërhyrjes së shpejtë të Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe efektivëve të Komisariatit lokal.
Pas një informacioni të marrë në rrugë operative, se një person i armatosur po lëvizte me motomjet në fshatin Dajç, me qëllim kryerjen e një akti kriminal si pasojë e një konflikti të mëparshëm, policia organizoi një ndërhyrje të menjëhershme.
Gjatë operacionit, u lokalizua një motomjet pa targa, ndërsa drejtuesi i tij tentoi të largohej me shpejtësi. Falë reagimit të shpejtë dhe profesional të efektivëve, ai u neutralizua në kohë.
Gjatë kontrollit, policia gjeti një armë zjarri automatike me fishek në fole, gati për qitje, si dhe sasi municioni luftarak. Mjeti me të cilin lëvizte autori, një motomjet pa targa, u sekuestrua gjithashtu në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, u arrestua në flagrancë A. L., 39 vjeç, banues në Lezhë, i dyshuar për “Mbajtje pa leje dhe prodhim të armëve dhe municionit luftarak”, vepër penale e parashikuar nga neni 278 i Kodit Penal.
Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për vijimin e hetimeve.


