Rusia ka rritur tonet ndaj Perëndimit lidhur me konfliktin në Ukrainë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi sot se çdo prani e trupave të huaja në territorin ukrainas do të konsiderohet e papranueshme dhe do të ketë pasoja të rënda.
Në konferencën për shtyp me homologun indian, Subrahmanyam Jaishankar, Lavrov akuzoi Perëndimin se po përgatit plane për një ndërhyrje të jashtme në disa zona të Ukrainës.
“Duket se këto ide kanë të bëjnë, në thelb, me perspektivën e një ndërhyrjeje ushtarake të jashtme në një pjesë të territorit ukrainas,” tha ai.
Diplomati i lartë rus paralajmëroi se Moska nuk do të pranojë kurrë skenarë të tillë, duke shtuar se edhe forcat politike në Evropë duhet të kuptojnë rrezikun e një lëvizjeje të tillë.
“Shpresoj që ata që e promovojnë këtë skenar të kuptojnë se do të ishte plotësisht i papranueshëm për Federatën Ruse,” theksoi ai.
Lavrov akuzoi gjithashtu udhëheqësit evropianë se po sabotojnë progresin e arritur në samitin SHBA-Rusi të mbajtur javën e kaluar në Alaska, ku u diskutua për një marrëveshje të mundshme paqeje në Ukrainë.
Sipas tij, ndërsa Uashingtoni dhe Moska po përpiqen të afrohen drejt një zgjidhjeje, “aleatët europianë të Kievit po kërkojnë të zhvendosin fokusin nga shkaqet rrënjësore të konfliktit”.
Në lidhje me bisedimet e mundshme mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij ukrainas Volodymyr Zelensky, Lavrov theksoi se pengesa kryesore mbetet legjitimiteti i kreut të Kievit, pas shtyrjes së zgjedhjeve për shkak të luftës.
“Çështja e legjitimitetit duhet të zgjidhet përpara se Moska të nënshkruajë ndonjë dokument me Kievin,” u shpreh ai.
Ky mesazh i fortë nga Moska shihet si një paralajmërim i qartë ndaj Perëndimit, në një kohë kur lufta në Ukrainë ka hyrë në një fazë të re dhe më të rrezikshme.


