Ndërkohë që raportimet janë të ndryshme për atë që po ndodh në Policinë e Shtetit, një lajm i fundit është se kryepolici Muhamet Rrumbullaku ka dhënë dorëheqjen nga ky post që e mbante prej dy vitesh.
Lajmin e bën me dije Euronews Albania e cila i referohet burimeve jozyrtare. Në vend të Rumbullakut është komanduar zv. drejtori aktual, Sokol Bizhga deri në zgjedhjen e kryepolicit të ri.
Radar.al raportoi më herët se Ministria e Brendshme ka hapur garën për kreun e ri të Policisë së Shtetit. Por zyrtarisht ende nuk dihet asgjë për shkarkim apo dorëheqje të Rumbullakut.
Ky lajm vjen ndërsa të premten e 5 shtatorit është mësuar se ministri i Brendshëm Ervin Hoxha ka thirrur në takim gjithë strukturën e policisë së shtetit, shkruan Radar.al.
Ministri që ka 36 ditë i emëruar, mësohet se ka përgatitur listën e shkarkimeve në ministri dhe Policinë e Shtetit dhe drejtoritë e qarqeve.


