Sipas një raporti të publikuar nga media italiane “La Stampa”, vetëm 25 emigrantë janë aktualisht në kampin e Gjadrit, ndërkohë që 16 të tjerë janë zhdukur. Partia Demokratike në Itali ka denoncuar këtë situatë, duke shprehur shqetësim për fatin e këtyre emigrantëve, të cilët nuk figurojnë në qendrat e riatdhesimit të Italisë në Gjadër. Media italiane spekulon se është e paqartë nëse ata janë rikthyer në Itali për të pritur riatdhesimin, ose nëse ndodhen në qelitë e ndërtuara brenda kampit për shkak të trazirave të disa javëve më parë.
Kampi i Gjadrit, ku janë vendosur emigrantët që po kthehen në atdhe pas dekreteve të dëbimit, ka përjetuar një periudhë kaosi dhe dhune. Rreth 20 emigrantë kishin protestuar duke shkatërruar mobiljet dhe infrastrukturën e kampit, duke shkaktuar dëme të mëdha. Xhamat e thyera, dyshekët e shkatërruar dhe plaçkitja e shtëpive janë disa nga dëmet që kanë lënë pas trazirat. Si pasojë e këtyre ngjarjeve, 10 emigrantë janë futur në qelitë e ndërtuara brenda kampit dhe mund të takohen vetëm me avokatët e tyre.
Më 19 prill, ministri i Brendshëm i Italisë, Matteo Piantedosi, njoftoi se një shtetas i huaj, i cili ishte vendosur në kampin e Gjadrit, është riatdhesuar për në vendin e tij të origjinës. Ai ishte një 42-vjeçar nga Bangladeshi, i cili kishte arritur në Itali në vitin 2009 dhe ishte dëbuar për shkak të rrezikut social. Piantedosi theksoi se operacionet e riatdhesimit të emigrantëve të parregullt do të vazhdojnë në përputhje me strategjinë e qeverisë italiane për të luftuar imigracionin e paligjshëm.


