Qeveria spanjolle ka miratuar një projektligj të ri anti-duhan, që synon të mbrojë shëndetin publik dhe të ulë numrin e të rinjve që konsumojnë produkte të duhanit.
Ligji ndalon kategorikisht shitjen e cigareve dhe produkteve të ngjashme për të miturit, ndërsa prindërit e fëmijëve që kapen duke pirë duhan do të përballen me gjoba.
Reforma parashikon gjithashtu ndalimin e cigareve elektronike njëpërdorimshe dhe zgjerimin e hapësirave publike ku pirja e duhanit nuk lejohet – përfshirë pishinat, tarracat e bareve e restoranteve, transportin publik dhe universitetet.
Ligji i trajton njësoj cigaret tradicionale, pajisjet e ngrohjes së duhanit dhe format e reja të konsumit, ndërsa reklama, promovimi dhe sponsorizimi i tyre ndalohen në të gjitha format e medias.
Shkeljet do të klasifikohen sipas tre kategorive, me gjoba që variojnë nga 100 deri në 600 mijë euro. Sipas qeverisë, masa synon të ulë aksesin e të rinjve tek duhani dhe të përshtasë legjislacionin me realitetin e ri të tregut.


