Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka përgëzuar strukturat hetimore të DVP Shkodër për zbardhjen e ngjarjes së rëndë kriminale, ku një person u vra me lëndë eksplozive të komanduar në distancë. Suksesi i hetimit u arrit falë bashkëpunimit të ngushtë dhe koordinimit të efektiv me Prokurorinë e Shkodrës.
Sipas Prodas, ky rast tregon profesionalizmin dhe këmbënguljen e Policisë së Shtetit, si dhe rolin vendimtar që ka koordinimi i mirë mes strukturave të zbatimit të ligjit dhe organit të akuzës. Kjo rezultat jo vetëm që ndihmon në zbardhjen e krimeve të rënda, por edhe forcon besimin e qytetarëve te institucionet e sigurisë.
Deklarata e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtrtit Ilir Proda:
“Falënderoj dhe përgëzoj publikisht Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, strukturat hetimore dhe të gjitha forcat e angazhuara, si dhe Prokurorinë, për bashkëpunimin e ngushtë dhe profesional që çoi në zbardhjen e një ngjarjeje të rëndë kriminale, të kryer me përdorimin e lëndës eksplozive të komanduar në distancë.
Ky është një nga rastet ku pasqyrohet puna serioze dhe profesionale, e koordinuar dhe këmbëngulëse e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim të plotë me organin e akuzës.
Këto rezultate dekurajojnë veprimtarinë kriminale dhe forcojnë më tej besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit, e cila do të vijojë të jetë e vendosur në misionin e saj për garantimin e rendit, sigurisë, jetës, dhe pronës së qytetarëve.”


