PRISHTINË- Ditën e sotme Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë përkujtimore në kujtim të Eliot Engel, ish kongresmenit amerikan që ndërroi jetë ditë më parë, një nga mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës.
Një fotografi e Engelit u vendos pranë foltores së Kuvendit nga ku zyrtarë të lartë e deputetë shprehën respekt dhe vlerësim të lartë për figurën e tij.
Kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, tha se e kujton Engelin si një figurë që i doli përkrah Kosovës në ditët më të vështira.
“Ai kërkoi liri për popullin të Kosovës, duke shpërfaqur kështu virtytet e larta njerëzore të një politikani të rrallë dhe të një njeriu të madh. Në vitet e ’90-ta, kur shqiptarët e Kosovës po vuanin nën regjimin e [ish-liderit serb Sllobodan] Millosheviçit dhe bota ende hezitonte të vepronte, Eliot Engel ngriti zërin.”-tha ajo.
Gjithashtu edhe kryeministri Albin Kurti e vlerësoi si një mik dhe mbështetës të madh të shqiptarëve, i cili nuk hezitoi asnjëherë të ngrinte zërin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pozicionohej në anën e drejtë të historisë.
“Kongresisti Eliot Engel, miku dhe mbështetësi i madh i shqiptarëve në përgjithësi dhe i Kosovës në veçanti, nuk hezitoi asnjëherë të ngrinte zërin për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të pozicionohej në anën e drejtë të historisë. Për më tepër, ai avokoi dhe u angazhua pa u kursyer që të drejtat të triumfojnë./Radar.al


