Një ngjarje e rëndë mësohet të ketë ndodhur sot në qytetin e Shkodrës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri humbi jetën një shtetas i identifkuar si Elis Rroshkodoli.
Mesa duket ky ishte një atentat i mirëplanifikuar që arriti t’i marrë jetën Rroshkodolit. Por shtetasi në fjalë nuk është emër i panjohur për policinë.
Kush është Elis Rroshkodoli?
Nga hetimet paraprake rezulton se Elis Rroshkodoli ishte pjesë e një grupi kriminal i përbërë nga 13 shtetas shqiptarë të akuzuar për dhjetëra grabitje që u godit përgjatë muajit tetor të 2014, në Belgjikë dhe në Shqipëri.
Gjatë kontrollit të banesave në Shkodër u gjetën 150 mijë euro e 50 ora të shtrenjta të vjedhura në dyqane, banesa dhe te qytetarë të ndryshëm në Belgjikë.
Në një deklaratë për median së bashku me drejtorin e Hetimit në Prokurorinë e Përgjithshme asokohe Adnand Xholi dhe drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Artan Didi, Prokuroria bëri me dije rezultatet e aksionit.
“Pas një operacioni të gjerë ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe belge, të zhvilluar dje, u arrit të goditet një grup i strukturuar kriminal shqiptarësh që vepronin në Belgjikë, të specializuar në vjedhje dhe grabitje me dhunë”, theksohet në deklaratë.
Sipas Prokurorisë, operacioni është koordinuar ndërmjet dy vendeve dhe ndërhyrja është bërë në zonën e Shkodrës dhe në qytetin e Luevenit në Belgjikë.
Autoritetet belge sollën në Tiranë një letër-porosi, e cila i është përcjellë Prokurorisë për Krime të Rënda.
Kjo e fundit mori leje nga gjykata për ushtrimin e kontrollit në disa banesa dhe ambiente publike në qytetin e Shkodrës dhe në rrethinat e tij, të cilat ishin në pronësi të shtetasve të dyshuar për grabitjet në Belgjikë dhe familjarëve të tyre.
Në zbatim të urdhrave të gjykatës, forcat e posaçme të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit kanë ushtruar kontroll në banesat e dyshuara dhe kanë gjetur sasi të mëdha parash, orë të shtrenjta të grabitura në Belgjikë që ishin sjellë më pas në Shqipëri për t’u shitur.
Ndër 13 shtetasit shqiptarë të akuzuar për grabitje, përmendet dhe emri i Elis Rroshkodolit./ Radar.al
TË ARRESTUAR
1. Besmir Allushi
2. Gentian Sylaj
3. Denis Sylaj
4. Erald Agajçi
5. Leonard Velaj
6. Zamirjan Meti
7. Elis Rroshkodoli
8. Gentiana Burgaj
9. Elis Sylaj
10.Siditian Sylaj
11.Avenir Hasanaj
12.Përparim Isufaj
13.Gledis Agolli
14.Qatip Amal
15.Torosian Edgard


