Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka shkarkuar zëvendësministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, vetëm një ditë pas deklaratave të tij publike ku akuzoi diplomatë ndërkombëtarë për nxitje trazirash në veri të vendit.
Në një intervistë për televizionin KTV të enjten mbrëma, Vokrri përmendi me emër shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, duke thënë se ai ishte ndër ata që kishin “nxitur trazira”.
Zyra e Kryeministrit njoftoi të premten vendimin për shkarkim, duke theksuar se qëndrimet e Vokrrit nuk reflektojnë pozicionin zyrtar të Qeverisë së Kosovës. “Deklarimet e tij janë personale dhe nuk përfaqësojnë as qeverinë, as qëndrimin e saj ndaj institucioneve ndërkombëtare dhe përfaqësuesve diplomatikë,” thuhet në njoftim.
Ky veprim i Kurtit vjen në një moment të ndjeshëm për marrëdhëniet e Kosovës me bashkësinë ndërkombëtare, veçanërisht në sfondin e tensioneve të vazhdueshme në veriun e vendit.


