TIRANË– Në foto është djali 15-vjeçar nga Postriba në Shkodër, i cili prej dy ditësh ka humbur kontaktet me familjen.
Agim Bibaj, i ati i adoleshentit të larguar nga shtëpia rrëfen se 15-vjeçari është nisur në mëngjes për në shkollë por nuk është futur në mësim, teksa është larguar në drejtim të paditur.
Prej atij momenti nuk është kthyer më në shtëpi, fakt i cili ka alarmuar familjarët. Babai i tij ka bërë menjëherë denoncim pasditen e 11 nëntorit në policinë vendore të Shkodrës, ndërsa efektivët janë angazhuar për të gjetur se ku ndodhet 15-vjeçari.
Nga deklarata e babait, mësohet se djali i tij dyshon se është larguar për shkak të një debati që kanë pasur ditët e fundit, ku i ka bërtitur që të mos bëjë sjellje të keqe, gjë të cilën ia ka shprehur vetëm shokëve dhe jo familjes.
Ai shprehet se nuk ka ushtruar dhunë fizike ndaj tij por vetëm e ka këshilluar si çdo prind që te ketë një sjellje të mirë në shoqëri gjë për të cilën dyshon se i biri është irrituar duke vendosur të largohet nga banesa. Agim Bibaj i bën thirrje kujtdo që mund ta ketë parë djalin e tij që ta njoftojnë. Gjithashtu ka një thirrje edhe për të birin duke i thënë që të kthehet sa më parë sepse e kërkojnë nëna, vëllezërit dhe motra./Radar.al


