Kryeministri britanik Keir Starmer do të vizitojë Shqipërinë ditën e enjte, një ditë përpara mbajtjes së Samitit të Komunitetit Politik Evropian që zhvillohet të premten në Tiranë.
Vizita e Starmerit lidhet drejtpërdrejt me çështjen e emigracionit dhe bashkëpunimit për sigurinë, teksa qeveria britanike ka njoftuar se gjatë qëndrimit në Tiranë ai pritet të shpallë masa të reja për ndalimin e emigracionit të paligjshëm dhe goditjen e rrjeteve të krimit të organizuar që merren me trafikimin e emigrantëve.
Pas vizitës së tij, të premten Starmer do të marrë pjesë në punimet e samitit ku liderët e vendeve evropiane do të mblidhen fillimisht në një seancë plenare të fokusuar në sigurinë dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen e kontinentit.
Më pas do të zhvillohen tre tryeza të rrumbullakëta në nivel të lartë që do të trajtojnë temat e sigurisë dhe qëndrueshmërisë demokratike të Evropës, konkurrueshmërisë dhe sigurisë ekonomike, si dhe sfidave të lëvizshmërisë dhe fuqizimit të të rinjve. Vizita e Starmerit në Shqipëri është e para si kryeministër dhe pritet të thellojë bashkëpunimin mes dy vendeve në çështjet që lidhen me emigracionin, sigurinë dhe integrimin evropian.


