Kryebashkiaku i një rajoni lokal në jugperëndim të Francë, Christian Bercaits, është gjetur i vdekur disa orë pasi humbi raundin e parë të zgjedhjeve komunale.
Sipas prokurorisë së Pau, hetimet paraprake po zhvillohen kryesisht mbi pistën e vetëvrasjes.
61-vjeçari, i cili drejtonte rajonin rural Viodot-Ambance-de-Bas në Rajonin Bask francez, u gjet i pajetë pranë banesës së tij mëngjesin e së hënës, vetëm disa orë pasi kishte humbur zgjedhjet e së dielës. Bersaits kishte marrë detyrën si kryetar bashkie në vitin 2017 dhe ishte rikandiduar edhe këtë vit.
Në zgjedhjet e fundit, ai u mund nga kundërshtari i tij, i cili arriti të marrë 55.50% të votave në këtë komunitet të vogël me rreth 750 banorë.
Sipas autoriteteve, Bersaits ishte zhdukur që nga mbrëmja e së dielës, menjëherë pas shpalljes së rezultateve. Ai ishte larguar nga qendra e votimit rreth orës 21:00 dhe më pas nuk ishte përgjigjur më në telefon, bëri të ditur prokurori i Pau-së, Rodolfo Zari.
Familjarët vunë re më vonë se nga shtëpia mungonte pushka e tij dhe njoftuan menjëherë autoritetet, të cilat nisën kërkimet.
Trupi i tij u gjet nga forcat e Gendarmerie Nationale në një zonë të pyllëzuar, rreth dhjetë metra larg automjetit të tij. Sipas informacioneve të para, në trup ishte konstatuar një plagë me armë zjarri.
Prokuroria e Pau-së vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes, ndërsa deri tani vetëvrasja konsiderohet si skenari më i mundshëm.


