Një ngjarje tronditëse ka ndodhur mbrëmjen e sotme (31 tetor) në Heraklion të Kretës, ku një burrë dyshohet se ka vrarë nënën dhe xhaxhain e tij në mënyrë makabre, duke i djegur të gjallë në banesën familjare.
Sipas policisë, autori i dyshuar, pas një konflikti ende të paqartë, i vuri zjarrin shtëpisë ku ndodheshin dy të afërmit e tij. Njëri prej viktimave është gjetur me një qese mbi kokë, çka ngre dyshimet se është mbytur përpara se të përfshihej nga flakët.
Pas krimit, i riu tentoi vetëvrasjen duke u hedhur nga ballkoni. Ai u gjet në gjendje të rëndë psikologjike dhe u transportua menjëherë në spital.
Nëna e autorit mësohet se ishte e sëmurë dhe nuk mund të lëvizte. Policia po heton edhe nëse autori vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Në vendngjarje ndërhynë 16 zjarrfikës me 4 automjete, të cilët arritën të shuajnë flakët dhe të nxjerrin trupat e pajetë nga banesa. Ngjarja ka tronditur opinionin publik në Greqi për brutalitetin dhe dinamikën e saj tragjike.


