Zgjatja e afatit të aplikimit për kredi të lehtësuara, ka sjellë efektet e saj pozitive, duke rritur numrin e familjes që përfitojnë. Kështu bëri të ditur në mbledhjen e djeshme të Këshillit Bashkiak, Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, e cila theksoi se nga 4409 aplikime, në fazën e parë janë shpallur fitues 2871 familje.
“Aktualisht, jemi në fazën e shqyrtimit të ankimimeve të fazës së parë. Sipas afateve, do të shpallet lista e aplikantëve fitues dhe jofitues, në përputhje me rezultatet e ankimimeve. Paralelisht, do të bëhet edhe hapja e thirrjes për fazën e dytë të kredive. Dorëzimi i dokumentacionit do të kryhet pranë sporteleve të pritjes me qytetarin ose përmes Postës Shqiptare”, sqaroi Ristani.
Hapja e thirrjes së dytë do të shoqërohet me një njoftim të dytë publik, i cili do të përcaktojë gjithashtu edhe afatin e dorëzimit të dokumentacionit, i cili do të ketë si afat final datën deri 31 korrik 2026.


