Gazeta italiane La Repubblica i ka kushtuar një artikull të gjatë projektit të qendrave për emigrantët në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një dështim të kushtueshëm dhe pa efekt real. Sipas të përditshmes prestigjioze, qendra e inaugurua më 14 tetor 2024 është kthyer në një “katedrale në shkretëtirë”, një strukturë gjigante që qëndron pothuajse gjithmonë bosh.
Sipas dokumenteve të protokollit Itali–Shqipëri dhe planifikimit qeveritar, për funksionimin e dy qendrave — në Gjadër dhe Shëngjin — janë parashikuar 653 milionë euro për pesë vite, ose mbi 130 milionë euro në vit. Megjithatë, deri më 25 korrik 2025, kanë kaluar vetëm 111 migrantë, duke e çuar koston për person në mbi një milion euro.
“La Repubblica” shkruan se taksapaguesit italianë po paguajnë një projekt që Gjykata e Drejtësisë së BE-së ka vendosur se nuk mund të përdoret për ndalimin e azilkërkuesve nga vende të sigurta. Pavarësisht kostove kolosale, gjatë gjithë verës numri mesatar i migrantëve nuk e ka kaluar kurrë njëzetën, ndërsa në total vetëm rreth njëqind persona janë strehuar në këto struktura brenda një viti.
Në artikull theksohet se nga 880 vende të planifikuara, vetëm 400 janë funksionale, ndërsa burgu i parashikuar nuk është hapur asnjëherë. Ndërkohë, kontingjentet e policisë dhe të agjentëve të burgjeve vijojnë të patrullojnë një hapësirë thuajse të boshatisur.
Pavarësisht deklaratave të përsëritura të kryeministres italiane Giorgia Meloni se “qendrat në Shqipëri do të funksionojnë”, La Repubblica shkruan se situata pritet të mbetet e pandryshuar të paktën deri në verën e ardhshme, kur mund të hyjë në fuqi Pakti i ri i BE-së për azilin dhe emigracionin — një nismë që ende nuk ka marrë konsensusin e shteteve anëtare.
Artikulli thekson gjithashtu se kompania Medihospes, e cila fitoi tenderin për menaxhimin e qendrave me vlerë 133 milionë euro për dy vitet e para, nuk ka nënshkruar ende kontratën me prefekturën e Romës, edhe pse kanë kaluar 17 muaj nga përfundimi i tenderit, duke e kthyer projektin në një tjetër simbol të burokracisë dhe dështimit operacional.
Në përfundim, gazeta italiane thekson se projekti që duhej të shënonte një zgjidhje inovative për menaxhimin e emigracionit, është shndërruar në një barrë financiare kolosale dhe një eksperiment të dështuar, ku taksa e paguar për çdo migrant kalon mbi një milion euro.
Artikulli i La Repubblica
Më 22 gusht, në qendrën për migrantët në Shqipëri kishin mbetur vetëm nëntë persona. Dhjetë ditë më parë ishin shtatëmbëdhjetë. Gjatë gjithë verës, numri mesatar nuk e ka kaluar kurrë njëzetën, dhe në total pak më shumë se njëqind migrantë janë strehuar aty brenda një viti. Ndërkohë, sipas planit fillestar, pritej që të strehoheshin 3 mijë persona në muaj, një diferencë e madhe që ka bërë që projekti të cilësohet si një dështim i kushtueshëm.
Qendra, e inauguruar më 14 tetor 2024, është kthyer në një “katedrale në shkretëtirë”, një strukturë e madhe, por thuajse gjithmonë bosh. Nga 880 vende të planifikuara, vetëm 400 janë funksionale, ndërsa burgu i parashikuar nuk është hapur kurrë. Ndërkohë, kontingjentet e policisë dhe të agjentëve të burgjeve vazhdojnë të patrullojnë një hapësirë pa të strehuar.
Pavarësisht deklaratave të përsëritura të kryeministres italiane Giorgia Meloni se “qendrat në Shqipëri do të funksionojnë”, situata pritet të mbetet e pandryshuar të paktën deri në verën e ardhshme, kur mund të hyjë në fuqi Pakti i ri i BE-së për azilin dhe emigracionin, një zhvillim që ende nuk ka marrë konsensusin e shteteve anëtare.
Sipas dokumenteve të protokollit Itali–Shqipëri dhe planifikimit qeveritar, për funksionimin e dy qendrave (në Gjadër dhe Shëngjin) janë parashikuar 653 milionë euro për pesë vite. Kjo përfshin ndërtimin e qendrave, kontratën me operatorin Medihospes, shpenzimet për misionet e policisë dhe kostot e larta të transportit me anije dhe avionë nga Italia në Shqipëri dhe anasjelltas. Kjo përkthehet në mbi 130 milionë euro në vit.
Duke marrë parasysh se deri më 25 korrik kanë kaluar vetëm 111 migrantë nëpër këto qendra, kostoja për person kap vlerën astronomike prej mbi një milion euro. Ky është çmimi që, sipas raportit të Altraeconomia, kanë paguar taksapaguesit italianë për një projekt që Gjykata e Drejtësisë së BE-së ka vendosur se nuk mund të përdoret për të ndaluar azilkërkuesit nga vende të sigurta.
Për më tepër, sipas të njëjtit raport, Medihospes, kompania që fitoi menaxhimin e qendrave për 133 milionë euro për dy vitet e para, nuk ka nënshkruar ende kontratën me prefekturën e Romës, edhe pse kanë kaluar 17 muaj nga përfundimi i tenderit, kur afati maksimal për finalizimin e kontratës ishte 60 ditë.
Ministri italian i Brendshëm, Matteo Piantedosi, kishte shpresuar që Pakti i ri europian për azilin dhe emigracionin do të mundësonte funksionimin e plotë të qendrës në Gjadër, por kjo mundësi duket gjithnjë e më larg, pasi shtetet anëtare të BE-së vazhdojnë të mos bien dakord për linjat operative të paktit.


