Teksa Kosova feston 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, ka reaguar edhe presidenti i Serbia, Aleksandar Vučić, i cili e cilësoi njohjen e shtetit të ri si hapjen e “Kutisë së Pandorës”.
Gjatë një vizite zyrtare në India, Vuçiç deklaroi se vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 pati, sipas tij, pasoja “katastrofike” jo vetëm për Serbinë dhe rajonin, por edhe për Evropën dhe rendin ndërkombëtar.
Ai kritikoi ashpër rolin e NATO, si dhe të vendeve perëndimore, duke përmendur ndërhyrjen e vitit 1999 dhe vendimet që pasuan për njohjen e pavarësisë. Sipas Vuçiçit, këto veprime u ndërmorën nga “të fuqishmit” pa respektuar parimet e së drejtës ndërkombëtare.
Presidenti serb shtoi se periudha 1999–2008 përbën, sipas tij, fillimin e dobësimit të rendit botëror. Megjithatë, ai pranoi edhe gabime të brendshme të Serbisë gjatë viteve 1990 dhe 2000, duke përmendur mungesën e një lidershipi të fortë dhe përçarjet politike si faktorë që ndikuan në zhvillimet e asaj kohe.
Në përfundim, Vuçiç theksoi se, pavarësisht sfidave të viteve të fundit, Serbia nuk është “thyer” dhe do të vazhdojë të mbrojë qëndrimin e saj në raport me çështjen e Kosovës.


