Policia e Shtetit njofton se gjatë javës së fundit janë intensifikuar kontrollet në akset kryesore rrugore të vendit, përmes përdorimit të teknologjisë së avancuar, për të garantuar sigurinë në rrugë dhe për të parandaluar aksidentet.
Në kuadër të këtyre masave, Njësia Operacionale për Sigurinë Rrugore ka përdorur 2 dronë dhe 3 radarë të tipit Poliscan, të cilët lejojnë monitorimin në kohë reale të shkeljeve si tejkalimi i shpejtësisë, parakalimet e gabuara, përdorimi i celularit gjatë drejtimit, mosvendosja e rripit të sigurimit dhe drejtimi nën efektin e alkoolit.
Gjatë javës janë vendosur gjithsej 3,313 masa administrative, konkretisht:
765 për parakalime të gabuara;
423 për tejkalim shpejtësie (me pezullim të lejeve të drejtimit dhe zbritje pikësh);
876 për mosvendosje të rripit të sigurimit;
1,121 për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit;
128 për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.
Policia Rrugore njofton se kontrollet do të vijojnë në mënyrë intensive në të gjithë vendin, me fokus në përdorimin e teknologjisë moderne për rritjen e sigurisë së jetës në rrugë.


