Policia e Burgjeve zhvilloi kontrolle të befasishme në institucionet e paraburgimit 313 dhe 302 në Tiranë, si pjesë e një aksioni kombëtar në të gjitha burgjet e vendit. Operacioni kishte për qëllim gjetjen e sendeve të ndaluara dhe verifikimin e kartelave të vizitave për të dënuarit.
Në kuadër të reformimit të sistemit, u kryen edhe lëvizje drejtuesish: Altin Agon u emërua drejtor i burgut të Peqinit, ndërsa Qazim Hoxha në krye të IEVP Elbasan.
Ky aksion vjen pas skandalit në burgun e Drenovës, ku gjatë një kontrolli të brendshëm u zbuluan shkelje të rënda dhe bashkëpunim i mundshëm mes stafit dhe të dënuarve. Tre të burgosur të rrezikshëm – Laert Haxhiu, Orgest Bilbili dhe Anterio Kaloshi – ndodheshin në dhoma ngjitur në kundërshtim me protokollet e sigurisë.
Në qelitë e tyre u sekuestruan 4 celularë, karikues dhe kufje bluetooth. Dyshohet gjithashtu për hyrje të paligjshme të femrave për shërbime personale ndaj Haxhiut, çka përbën një tjetër shkelje serioze.


