Autoritetet greke goditën një rrjet të madh kontrabande karburanti, i cili përmes skemave të sofistikuara mashtrimi gjeneroi mbi 3 milionë euro fitime. Në total u arrestuan 22 persona, mes tyre edhe një shqiptar, i konsideruar si një nga drejtuesit kryesorë të grupit.
Hetimet zbuluan se organizata përdorte software të posaçëm, që dukej si lojë “solitaire”, për të manipuluar sistemet e pompave të karburantit. Në këtë mënyrë, sasitë e furnizuara rezultonin 25% më të ulëta, ndërsa faturat lëshoheshin për shifra të plota. Një tjetër program manipulonte raportet ditore, duke fshirë gjurmët e vjedhjes.
Rrjeti operonte në 9 stacione karburanti në Atikë, Trikala, Arta e Lakoni, ku qytetarët furnizoheshin pa e ditur me karburant kontrabandë ose të përzier me tretës kimikë. Vetëm nga janari deri në gusht 2025, grupi trafikoi ilegalisht mbi 1.3 milion litra benzinë dhe 212 mijë litra tretës.
Hetuesit zbuluan se skema mbështetej në eksporte fiktive drejt Shqipërisë, duke përdorur dokumente doganore të falsifikuara dhe deklarata të rreme për të shmangur taksat. Në terren u sekuestruan 790 mijë euro cash dhe u mbyllën 8 stacione karburanti.
Sipas policisë, organizata funksiononte në dy nëngrupe: njëri merrej me importin dhe përzierjen e tretësve kimikë, ndërsa tjetri me eksportet fiktive të benzinës. Grupi kishte lidhje me persona në Rumani, Poloni, Bullgari dhe Shqipëri.
Në krye të rrjetit dyshohet se ishin një shqiptar dhe një 50-vjeçar nga Trikala, të cilët koordinonin veprimtarinë në Atikë, Trikala dhe Selanik.


