Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, janë konfiskuar pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro, në pronësi të shtetasit Drini Aliko, pasi nga hetimet rezultoi se ato nuk justifikoheshin nga burime të ligjshme.
Dasho Aliko aktualisht është anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike në zonën e Gjirokastrës ndërsa më parë ka mbajtur postin e kryetarit të komunës së Lazaratit.
Konfiskimi u krye në kuadër të hetimit pasuror nr. 2 të vitit 2019 dhe përfshin një numër të konsiderueshëm pasurish të paluajtshme dhe biznese, të tilla si karburant, truall, banesa, magazina dhe ambiente shërbimi, të shpërndara në zona të ndryshme të Gjirokastrës, Lazaratit, Grehotit, Kordhocës dhe fshatit Arshi Lengo.
Mes pasurive të konfiskuara janë disa sipërfaqe trualli, një banesë, një pikë karburanti, ndërtesa zyrash, lokale, magazina me sipërfaqe të ndryshme, si dhe objekte të tjera ndihmëse të lidhura me aktivitetin ekonomik.
Prokuroria e Gjirokastrës ka theksuar se mbetet e angazhuar në hetimin me prioritet të procedimeve pasurore dhe në zbatimin e ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit, përmes masave parandaluese kundër pasurisë.
NJOFTIMI I PROKURORISE
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjirokastër, u konfiskuan tre milionë euro pasuri të shtetasit D.A. i cili nga hetimet rezultoi se nuk ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive.
Kërkesa për konfiskim erdhi në kuadër të hetimit pasuror nr.2 të vitit 2019 dhe u konfiskuan pasuritë si më poshtë:
– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 350m2, me vendndodhje në qytetin Gjirokastër;
– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1500m2 dhe ndërtim 23 m2 me vendndodhje në Lazarat, Gjirokastër;
– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 450 m2, me vendndodhje në Grehot, Gjirokastër;
– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1646 m2 me vendndodhje në Grehot, Gjirokastër;
– Pasuria e llojit “Arë” me sipërfaqe 7000 m2 me vendndodhje në fshatin Arshi Lengo, Gjirokastër;
– Pasuria e llojit “Banesë” me sipërfaqe 120 m2 ndërtim, dhe pasuria e llojit “Sipërfaqe sheshi” 600 m2 me vendndodhje në Lazarat;
– Pasuria e llojit “Karburant” me sipërfaqe 148 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;
– Pasuria e llojit “Ndërtesë e zyrave dy-katëshe” me sipërfaqe 69 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;
– Pasuria e llojit “Lokal” me sipërfaqe 94 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;
– Pasuria e llojit “Magazinë” me sipërfaqe 437 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;
– Pasuria e llojit “Magazinë” me sipërfaqe 98 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;
– Pasuria e llojit “Magazinë” me sipërfaqe 542 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;
– Pasuria e llojit “Vendroje” me sipërfaqe 5 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;
– Pasuria e llojit “Nyje betoni” me sipërfaqe 55 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;
– Pasuria e llojit “Vend afrimi i materialeve të ngurta” me sipërfaqe 424 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;
– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 2224 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër; dhe
– Pasuria e llojit “Truall” me sipërfaqe 1608 m2 me vendndodhje në Kordhocë, Gjirokastër;
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për hetimin me prioritet të procedimeve pasurore si dhe për sekuestrimin/konfiskimin e pasurive në zbatim të ligjit Nr.10192, datë 03.12.2009 “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit dhe Korrupsionit nëpërmjet Masave Parandaluese Kundër Pasurisë”.
Në vijim, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, shpreh angazhimin e plotë për vijimin e hetimeve të grupveprave që lidhen me pasurimin e paligjshëm nëpërmjet marrjes së masave për sekuestrimin dhe konfiskimin e tyre.


