Ekziston një ide e përhapur mbi inteligjencën, njeriu i zgjuar është gjithmonë i qetë, i vendosur dhe merr vendime shpejt, pa shumë dilema. Por studimet mbi mënyrën se si funksionon mendja tregojnë një realitet më të ndërlikuar.
Shpesh, disa nga sjelljet që duken si të pavendosura apo të mbimenduara janë në fakt të lidhura me aftësi më të larta njohëse. Dhe dy prej tyre keqkuptohen më shpesh.
- Pse disa njerëz nuk “i lënë gjërat të kalojnë” lehtë
Në jetën e përditshme ndodh shpesh që një bisedë të mbyllet dhe shumica e njerëzve të vazhdojnë përpara. Por ka edhe nga ata që vazhdojnë ta rikthejnë në mendje atë që u tha. Një koment i paqartë, një argument që nuk u sqarua plotësisht, apo një vendim që nuk u shpjegua mirë.
Nga jashtë kjo duket si fiksim ose paaftësi për t’i lënë gjërat pas. Por psikologët e shpjegojnë këtë me një koncept të quajtur “nevoja për të menduar thellë” (need for cognition), pra prirja për të kërkuar kuptim të plotë dhe për të mos u kënaqur me shpjegime sipërfaqësore.
Studime të ndryshme tregojnë se njerëzit me aftësi më të larta mendore kanë më shpesh këtë tipar. Ata nuk ndihen rehat kur diçka mbetet e paqartë dhe kanë nevojë ta analizojnë derisa të marrë kuptim të plotë. Për këtë arsye, ndonjëherë duket sikur nuk e lënë të pas një temë, kur në fakt thjesht po përpiqen ta kuptojnë deri në fund.
- Pse vendimet e lehta mund të bëhen të vështira
Një tjetër sjellje që shpesh keqkuptohet është hezitimi në vendime të thjeshta të tipit: çfarë të porosisësh në restorant, çfarë filmi të shohësh apo kur t’i kthesh një mesazh.
Nga jashtë kjo mund të duket si pavendosmëri, por në fakt lidhet me mënyrën si funksionon mendimi analitik. Njerëzit që analizojnë shumë kanë tendencë të shohin shumë alternativa njëkohësisht, të imagjinojnë rezultate të ndryshme dhe të mendojnë për pasojat e secilës zgjedhje.
Ky proces është shumë i dobishëm në vendime të rëndësishme në jetë, por në situata të thjeshta mund të kthehet në mbingarkesë mendore. Sa më shumë opsione të analizohen, aq më e vështirë bëhet zgjedhja.
Kështu, vendime që për të tjerët duken të vogla, për disa persona shndërrohen në proces të gjatë mendimi.
Të dyja këto sjellje kanë diçka të përbashkët, një mendje që kërkon kuptim të thellë dhe nuk kënaqet me përgjigje të shpejta. Kjo mund të duket si pavendosmëri ose komplikim i panevojshëm, por shpesh është thjesht mënyra se si funksionon një mendje më analitike.


