Qindra mijëra pjesëmarrës nisën ditën e sotme në Teheran ceremoninë mortore disa ditore për ish-Udhëheqësin Suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. Turmat godisnin gjokset në shenjë zie përpara arkivolit të mbuluar me flamur, i vendosur në një kuti xhami, ndërsa thërrisnin për hakmarrje ndaj Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara.
Khamenei, i cili udhëhoqi Iranin për dekada, u vra në moshën 86-vjeçare gjatë një sulmi ajror më 28 shkurt, në fillim të luftës me Iranin. Ceremonia e tij mortore shihet si një ngjarje që mund të forcojë pushtetin e regjimit iranian dhe udhëheqjen e re të vendit, të drejtuar nga djali i tij, Ajatollah Mojtaba Khamenei.
Kjo vjen në një moment të ndjeshëm, ndërsa Irani përpiqet të përdorë kontrollin mbi Ngushticën e Hormuzit si mjet negociues me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës, ndërkohë që ka shqetësime për sulme të reja nga Izraeli.
Gjatë ceremonisë, negociatori kryesor iranian paralajmëroi Francën dhe Mbretërinë e Bashkuar pas deklaratave për patrullime të përbashkëta në Ngushticën e Hormuzit, një rrugë detare strategjike përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e naftës dhe gazit në botë.
Pjesëmarrësit qanë para arkivolit të Khameneit dhe anëtarëve të familjes së tij, të vrarë gjithashtu në sulm, ndërsa thërrisnin: “Fjala jonë është një! Hakmarrje! Hakmarrje!”. Në të gjithë qytetin ishin vendosur postera me imazhin e tij, ndërsa turmat godisnin gjokset në shenjë zie.
“Ishte zemra jonë, babai ynë, gjithçka për ne,” tha pjesëmarrësja Masoumeh Mohammadi. “Ende nuk mund ta besojmë. Nuk do të ndalemi derisa të marrim hak për vdekjen e tij.”
Ceremonia u zhvillua në një kohë kur SHBA po festonte 250-vjetorin e Pavarësisë. Në Teheran u dëgjuan thirrje “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”, ndërsa në SHBA Presidenti Donald Trump mbajti fjalim në të njëjtën kohë.
Gjatë ceremonisë, turma mbante edhe një flamur me mbishkrimin “#VritTrump”, ndërsa autoritetet iraniane kritikuan deklaratat e Britanisë dhe Francës për patrullime në Ngushticën e Hormuzit, duke i quajtur provokime.
“Siguria e Hormuzit u përket shteteve bregdetare,” deklaroi negociatori iranian, duke paralajmëruar pasoja të rënda për çdo ndërhyrje.
Trupi i Khameneit pritet të përcillet në disa qytete të Iranit dhe Irakut, ndërsa ceremonia pritet të zgjasë deri të enjten, kur ai do të varroset në Mashhad.
Autoritetet kanë mbyllur rrugë dhe hapësirën ajrore, ndërsa në Teheran janë vendosur masa të forta sigurie. Ceremonitë përkujtimore po mbahen edhe në qytete të tjera të vendit.


