Kryeministri Edi Rama përveçse ka ironizuar drejtuesit politikë në qarqe që ka caktuar Partia Demokratike, në fjalën e tij në Asamble, tha se ka parashikuar sa mandate do marrë PD në zgjedhjet e 2025.
“Ne zgjedhjet e ardhshme PD zor se do të marrë më shumë mandate se në vitin 1997”, tha ai. “I vetmi ndryshim është se atëherë e tërë Shqipëria ishte në humnerën që ra ajo parti, ndërsa sot humnera është destinacion eksluziv i vetëm asaj partia, një destinacion i zgjedhur me vullnet të lirë prej udhëheqësve udhëprerës të saj”, tha ai.
Sipas Ramës kjo nuk del nga parashikim i tij:
“Ka vetëm një gjë që është më keq sot se para 11 vitesh në Shqipëri, PD. Mbajeni mend sot, unë nuk shoh filxhan e nuk parashikoj të ardhmen por ne dimë të lexojmë mendjen e popullit jo vetëm se kemi patronazhistët por se kemi tanimë një strukturë shkencore të kolauduar që bën anketimet e përmuajshme të opinioneve të njerëzve”.


