Teksa u prit me ovacione dhe fishekzjarre, ish-kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri mbajti fjalën e parë pas lirimit nga qelia për qytetarët që kishin dalë ta mirëprisnin..
“Ju jam borxhli deri në vdekje. Treguat se ky vend ka zot. Nga Vranishti në Borsh dua t’ju falënderoj nga zemra për mbështetjen këto 15 muaj. Janë nder i madh për mua zgjedhjet e Himarës. Më burgosën me të padrejtë, më fajësuan me pa të drejtë dhe me pa të drejtë erdhën këtu deputetët. Nuk kanë pse ju dhunojnë dhe shantazhojnë”, tha ai.
Eurodeputeti më i ri i Greqisë vlerësoi rolin që luajti Athina zyrtare në mbrojtjen e figurës së tij, duke thënë se shpina e himarjotëve mbrohet edhe nga kryeministri helene Kyriakos Mitsotakis.
“Asnjë luftë nuk shkon e humbur. Nuk jemi vetëm, kemi kryeministrin grek, shtetin grek dhe ambasadoren greke. Në këtë luftë kemi me vete edhe shqiptarët e ndershëm. Ata që janë që besojnë te e drejta. Kur ishim ne Himarjotët problem për Shqipërinë? Në ‘97 ra shteti dhe Himarjotët paguanin ujë e drita. Ata që nuk i japin dot vendit të tyre mirëqenie kërkojnë armiq. Nëse jemi të bashkuar do kemi edhe zotin me vete”, nënvizoi ai.
Sipas Belerit, “nuk ka problem mes shqiptarëve dhe grekëve, por ka mes hajdutëve dhe të zotëve të shtëpisë”.


