Një vizitë e papritur nga Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës (CPT), organ i Këshillit të Evropës, ka zbuluar probleme të thella në qendrat e paraburgimit të emigrantëve, veçanërisht në modelin italian që pritet të zbatohet edhe në Shqipëri.
Raporti i CPT-së thekson se në katër nga nëntë qendrat e riatdhesimit (CPR) në Itali janë konstatuar mbipopullim, kushte të mjerueshme jetese, trajtim çnjerëzor, mungesë kujdesi shëndetësor dhe përdorim i barnave psikotrope për të qetësuar personat e ndaluar.
Komiteti ngre shqetësime të thella për zbatimin e këtij modeli edhe në Shqipëri, ku pritet ndërtimi i kampeve të ngjashme në bazë të një marrëveshjeje dypalëshe me Italinë. Sipas CPT-së, nëse nuk garantohet respektimi i të drejtave themelore të njeriut, aplikimi i këtij modeli jashtë Italisë përbën një rrezik të madh.
Pavarësisht garancive nga autoritetet italiane, CPT i konsideron ato të pamjaftueshme për të adresuar problemet e rënda që tashmë janë evidente në territorin italian.


