Katër persona mbetën të plagosur pas një incidenti me armë zjarri të ndodhur këtë të enjte në qendër të Podujevës. Sipas Policisë së Kosovës, tre prej të plagosurve kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në ngjarje, ndërsa një kalimtar i rastit ka pësuar lëndime të lehta.
Drejtori i Policisë për rajonin e Prishtinës, Basri Shabani, bëri të ditur se autoritetet u njoftuan rreth orës 14:00 për të shtënat në sheshin e qytetit dhe njësitë policore ndërhynë menjëherë në vendin e ngjarjes.
Sipas tij, hetimet janë ende në fazën fillestare dhe motivi i ngjarjes nuk është konfirmuar. Megjithatë, informacionet paraprake tregojnë se personat e përfshirë kanë lidhje familjare dhe dyshohet se konflikti mund të ketë qenë i natyrës familjare.
Shabani sqaroi se ky version mbetet ende në verifikim dhe se Policia do të japë më shumë detaje pasi të përfundojë grumbullimi i provave dhe informacionit.
Ai bëri të ditur gjithashtu se në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë edhe një hetues policor i Stacionit Policor të Podujevës, i cili ndodhej në detyrë, megjithëse ishte i veshur me rroba civile. Sipas tij, ndërhyrja e zyrtarit policor ndihmoi në parandalimin e përshkallëzimit të situatës dhe shmangien e lëndimeve të tjera.
Policia e Kosovës, në bashkëpunim me organet e hetuesisë, vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe motivin e ngjarjes.


