Bilanci i tragjedisë nga zjarri në kompleksin rezidencial në Tai Po, Hong Kong, po rritet ndjeshëm. Autoritetet raportojnë se deri tani 83 persona kanë humbur jetën dhe 75 janë plagosur, ndërsa 250 persona rezultojnë ende të zhdukur.
Në përpjekjet për të shuar flakët, një zjarrfikës ka humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur. Pas më shumë se një dite luftë me flakët, zjarri konsiderohet “në thelb nën kontroll”, me katër ndërtesa të shuar dhe flakët ende aktive në tre të tjera. Ndërtesa e tetë nuk u prek nga zjarri.
Shuarja e zjarreve ishte jashtëzakonisht e vështirë për shkak të materialeve të ndezshme dhe ngarkesës së lartë të nxehtësisë. Qindra banorë janë zhvendosur në strehimore të përkohshme.
Autoritetet po hetojnë shkaqet e zjarrit, ndërsa duket se skelat prej bambuje dhe rrjetet e vendosura për rinovimin e ndërtesave kanë kontribuar në përhapjen e shpejtë të flakëve. Tre drejtues të kompanisë së ndërtimit janë arrestuar me dyshimin për vrasje të paqëllimshme dhe pakujdesi të rëndë.


