TIRANË– Grupi Kastrati nisi dhe vazhdoi zgjerimin e ish-hotelit Sheraton pa leje. Citizens.al dëshmon se autoritetet mbyllën sytë përballë punimeve që nisën në vitin 2019, ndërkohë që lejet e ndërtimit u miratuan në periudhën 2021-2022.
Një histori aspak transparente
Zyrtarisht, më datë 8 nëntor 2019, grupi Kastrati siguroi nga qeveria leje zhvillimi për të zgjeruar godinën e hotelit MAK Albania (ish-Sheratoni).
Por leja e zhvillimit nuk të jep të drejtë të ndërtosh. Ajo vetëm përcakton në parim se sa dhe si mund të ndërtohet në një truall: intensiteti, volumetria maksimale, numri i kateve dhe distancat nga kufijtë.
E drejta për të ndërtuar mundësohet vetëm nga leja e ndërtimit, e cila në këtë rast – sipas procedurave të deleguara nga qeveria – do të jepej nga Bashkia Tiranë.
Leja e ndërtimit miraton projektin teknik, arkitekturën dhe zbatimin konkret brenda kushteve të lejes së zhvillimit. Ajo i jepet ndërtuesve vetëm pas pagesës së taksës së ndikimit mbi infrastrukturë.
Por, pamjet satelitore dhe evidentimet në terren tregojnë se vinçi ishte ngritur në anë të ish-hotelit Sheraton (2019), ndërsa kantieri për tre nga katër zonat e zhvillimit (Zona B, C dhe D) ishte hapur shumë më përpara se bashkia të jepte lejet.
Citizens.al ka mësuar se zyrtarisht grupi Kastrati aplikoi për leje më 6 maj 2021 dhe Bashkia Tiranë ia miratoi atë më 6 korrik 2021 (për Zonat A, B, pati rishikim leje më 10 nëntor 2022) dhe 20 qershor 2022 (për Zonat C, D).
Kjo mospërputhje kohore mes punimeve faktike dhe lejeve të dhëna mund të jetë një nga arsyet se përse grupi Kastrati nuk vendosi në asnjë moment tabelë njoftuese për punimet në kantier.
Ndërtimi i nisur me një leje zhvillimi të dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit në nëntor 2019, parashikonte kompleks të integruar për hoteleri, rezidenca dhe zyra.
Por në qershor 2021 ndryshimet e projektit rritën ndjeshëm sipërfaqen e ndërtimit mbi tokë – nga 69,665 m² në 108,827 m² – dhe numrin e kateve nga maksimalisht 13 në 15.
Rritja e intensitetit të ndërtimit u shoqërua me një mungesë të theksuar transparence.
Kështu në lejen e rishikuar parashikohej edhe thellimi me nga një kat nën tokë, deri në 5 kate. Por, në periudhën e rishikimeve, grupi Kastrati kishte përparuar ndjeshëm me ndërtimin.
Pamjet me dron të periudhës shkurt-dhjetor 2021 tregojnë se në zonat B, C dhe D puna kishte ecur deri në plotësimin e strukturës karabina duke dalë deri në 14 kate mbi tokë.
Në të njëjtën periudhë kur ndërtimi po niste, apo po vijonte pa leje, grupi Kastrati shpallte publikisht marrëveshje me emra të mëdhenj ndërkombëtar të fushës së hotelerisë si Hyatt (dhjetor 2018) dhe Hilton (shkurt 2021), duke e reklamuar projektin si një zhvillim me rëndësi strategjike për imazhin urban dhe turistik të Tiranës.
Ky kontekst zhvillimi nisi të lavdërohej publikisht edhe nga kryebashkiaku Veliaj.
Sipas raportimeve zyrtare, brenda vitit 2019, Hyatt thuhej se do të hapte filial të sajin në një nga gjashtë kullat që grupi Kastrati po projektonte anash MAK Albanias. Ngjashëm, parashikonte Hilton brenda vitit 2023.

Por, asnjë nga këto hotele nuk është hapur ende, edhe pse afatet e premtuara kanë kaluar me disa vite. Hyatt, së fundmi figuron me vit të përditësuar (2026 në uebfaqen e grupit Kastrati), ndërsa për Hilton nuk ka data zyrtare.
Citizens.al iu drejtua për koment zyrave qendrore të markave në fjalë, por nuk mori përgjigje.
Këto vonesa me shtrirje të gjata në kohë ngrenë pikëpyetje mbi seriozitetin e marrëveshjeve dhe i japin peshë dyshimit se ato mund të jenë përdorur më shumë për imazh, influencë apo dhe mbulesë legjitimuese për “tolerancën” nga autoritetet publike në ndërtimin pa leje.
Citizens.al iu drejtua edhe studiove të arkitekturës Archea dhe X-Plan për të mësuar nëse ato vijojnë të jenë të përfshira në projekt, por nuk mori përgjigje.
Taksat e infrastrukturës dhe mungesa e kontrollit
Një tjetër aspekt i errët në këtë çështje është pagesa e taksave për infrastrukturën.
Grupit Kastrati rezulton t’i jenë caktuar dy taksa me vlerë totale rreth 183 milionë lekë (rreth 1.6 milionë euro) – një prej 138 milionë lekësh në lejen e vitit 2021 dhe një tjetër prej 45 milionë lekësh në lejen e vitit 2022.
Bashkia Tiranë refuzoi të sqaronte kur është bërë pagesa e kësaj takse dhe sa ishte taksa për lejen e zonave C dhe D.
Ndërkohë, edhe pse bashkia miratoi lejet vetëm pas aplikimeve formale në 2021-22, Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) nuk ka ndërmarrë asnjë kontroll apo procedim për ndërtim pa leje në dy vite të punimeve.
Në një përgjigje për Citizens.al, IMT u justifikua se për projektin e MAK Albanias “nuk ka pasur asnjë ankesë apo kallëzim penal”, duke lënë të kuptohet se pa presion publik apo denoncime formale, ndërtimet mund të rrëshqasin jashtë kontrollit ligjor, sidomos kur pas tyre janë grupe të mëdha ekonomike.
Pas ish-Hotel Sheratonit, që dikur i përkiste grupit të investitorëve kuvajtianë, MAK Albania, në lojë u përfshinë një sërë kompanish të lidhura me Kastratin: Kastrati Residences, Kastrati Hotels & Tower dhe Kastrati Construction.

Në projektin fillestar u përfshi edhe Mak Elite Offices, një kompani nën grupin Balfin, që u pezullua dhe çregjistrua pak përpara se të sigurohej leja e dytë e zhvillimit.
Por, kullat e Kastratit te ish-Hotel Sheraton nuk janë vetëm një histori betoni dhe xhami. Ato janë shembull i qartë i investimeve që bëhen në mungesë llogaridhënie dhe kontrolli: ndërtohet pa leje dhe me ndryshime projekti ku shumëfishohet sipërfaqja, e gjitha “nën hundën” e institucioneve që nuk bëjnë detyrën.
Përkundër këtij rasti, qytetarë të thjeshtë apo dhe sipërmarrës të vegjël, kanë ndjerë vazhdimisht “dorën e hekurt” të autoriteteve në luftën e deklaruar ndaj “ndërtimeve informale”. Ky rast tregon se politika ka qenë dhe mbetet me dy standarde.
Citizens.al iu drejtua zyrtarisht grupit për koment mbi nisjen e ndërtimit përpara marrjes së lejeve përkatëse, mungesës së tabelës njoftuese si dhe çështjet e tjera të diskutueshme rreth projektit.
Pyetjet iu përcollën si në adresat zyrtare, ashtu edhe direkt te drejtuesja e PR dhe Marketingut. Por, deri në momentin e publikimit, nuk kemi pasur përgjigje./citizens.al


