Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ami Kozeli, inspektuan ecurinë e punimeve në segmentin rrugor Qafë Qelë-Koman, një investim i konsideruar strategjik për funksionimin e kaskadës së Drinit dhe zhvillimin ekonomik e turistik të zonës.
Segmenti me gjatësi rreth 31 kilometra po i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, me synim përmirësimin e parametrave të sigurisë rrugore dhe garantimin e një aksesi më të shpejtë drejt Hidrocentralit të Komanit dhe zonave përreth. Aktualisht ka përfunduar shtrimi i shtresës së binderit në të gjithë gjatësinë e rrugës.
Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, bëri të ditur se projekti ka përfshirë zgjerimin e aksit, vendosjen e guardrail-eve, mbrojtjen e skarpateve dhe ndërhyrje në kthesat më problematike.
“Punimet konsistonin në zgjerimin e aksit duke përmirësuar edhe sigurinë rrugore. Janë vendosur elementë mbrojtës të skarpateve dhe guardraila, ndërsa janë eliminuar tre kthesa të rrezikshme që konsideroheshin pika të zeza”, tha Kozeli.
Ministri Karakaçi theksoi se rruga ka një rol të dyfishtë, pasi i shërben si sektorit energjetik ashtu edhe komunitetit dhe turizmit në zonë.
“Është një rrugë e rëndësishme sepse lidh segmentin nga Vau i Dejës drejt Pukës dhe Hidrocentralit të Komanit, ndërsa njëkohësisht u shërben banorëve të zonës dhe ka një potencial të madh për zhvillimin e turizmit”, u shpreh ministri.
Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, pas përfundimit të investimit, koha e udhëtimit në këtë segment do të reduktohet në rreth 40 minuta.
Rikonstruksioni pritet të garantojë akses më të shpejtë dhe më të sigurt për personelin dhe mjetet që operojnë në Kaskadën e Drinit, duke lehtësuar mirëmbajtjen e aseteve energjetike. Njëkohësisht, investimi do të sjellë përfitime të drejtpërdrejta për banorët dhe bizneset lokale, duke përmirësuar qarkullimin dhe nxitur zhvillimin turistik të zonës.


