Një 25-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane në zonën e Jesi-t, në provincën e Ankonës, pasi u kap në flagrancë duke shpërndarë doza kokaine.
Operacioni u zhvillua pranë një qendre tregtare të njohur, ku efektivët pikasën një mjet të dyshimtë që përdorej nga persona të përfshirë në trafik droge. Pas një ndjekjeje të shkurtër, oficerët ndërhynë në parking dhe arrestuan shoferin shqiptar, i cili tentoi të asgjësonte një pako me kokainë.
Gjatë kontrollit të mjetit, policia gjeti 7 doza të tjera të gatshme për shitje, të vulosura dhe gati për shpërndarje, si dhe një celular të fshehur që përmbante komunikime të dyshimta për aktivitetin kriminal.
Hetimet zbuluan se 25-vjeçari jetonte në mënyrë të paligjshme në Itali dhe drejtonte një automjet të regjistruar në emër të një personi me precedentë penalë për trafik droge.
Pas arrestimit, gjykata italiane urdhëroi dëbimin e menjëhershëm të tij drejt Shqipërisë, brenda një jave, si dhe sekuestrimin e provave materiale që lidhen me rrjetin e shpërndarjes së kokainës.


