Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Meksikë, ku një kandidate për kryetare bashkie është qëlluar për vdekje gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë në Facebook, në mesin e fushatës zgjedhore për votimet e 1 qershorit.
Yesenia Lara Gutiérrez, përfaqësuese e partisë në pushtet Morena, po zhvillonte një takim elektoral me qytetarët e Texistepec, një qytet i vogël në shtetin bregdetar Veracruz, kur u qëllua nga persona të armatosur të dyshuar si pjesëtarë karteli. Ajo ndodhej mes mbështetësve të saj, duke buzëqeshur dhe përshëndetur turmën, kur u dëgjuan më shumë se 20 të shtëna që çanë qetësinë dhe përfunduan jetën e saj në vendngjarje.
Ngjarja tragjike u regjistrua drejtpërdrejt nga kamera dhe videoja qëndroi e publikuar në profilin e saj në Facebook edhe një ditë pas atentatit.
Përveç Gutiérrez, viktimë e sulmit u bë edhe vajza e saj dhe dy persona të tjerë, ndërsa tre të tjerë mbetën të plagosur, sipas guvernatores së shtetit Veracruz, Rocío Nahle García – gjithashtu nga partia Morena e presidentes së vendit, Claudia Sheinbaum.
Në një deklaratë për mediat, presidentja Sheinbaum dënoi vrasjen dhe tha se ende nuk janë dhënë informacione për motivet e atentatit, ndërsa shtoi se qeveria federale ka vënë në dispozicion të autoriteteve lokale mbështetje të plotë për hetimet.
“Jemi në koordinim të plotë me Sekretarin e Sigurisë dhe Prokurorinë e Shtetit për të garantuar sigurinë në këtë periudhë zgjedhore”, deklaroi ajo.
Kjo është vrasja e dytë e një kandidati gjatë fushatës në Meksikë në më pak se një javë, në një vend ku dhuna ndaj politikanëve është kthyer në fenomen shqetësues. Sipas organizatës për të drejtat e njeriut Data Cívica, gjatë vitit 2024 janë raportuar 661 sulme ndaj personave dhe strukturave të përfshira në procese politike – një rekord i zymtë për demokracinë meksikane.


