Një nga kandidatët më të rinj të PS, Julian Zyla, emri i të cilit renditet në listën e Beratit, ditën e sotme i ftuar në podcastin që drejtohet nga kryeministri njëherazi dhe kryetari i socialistëve, na ka zbuluar një moment shumë emocional.
Zyla përmendi arsyet që e çuan drejt politikës, duke theksuar faktin se çdo gjë ka qenë e lidhur me dy elementë: politikën dhe dashurinë për Shqipërinë.
Ndërsa më tej ai përmend një moment të rëndësishëm të jetës së tij, kur përfundoi studimet master në Romë në fund të janarit të vitit 2010.
Ai shpjegoi se gjatë prezantimit, babai i tij kishte qenë aty, dhe kur kryetari i komisionit i tha “Nderoni veten tuaj”, babai i Zylës kishte qenë i pranishëm dhe shoku i tij ia kishte përkthyer fjalët. Julian Zyla nuk mundi t’i mbante dot lotët teksa kujtonte atë moment prekës për të.
“Doja të tregoja një nga momentet më të rëndësishme të jetës time. Ka qenë në fund janari të 2010-ës, kur përfundoja studimet master. Ishte dita kur do prezantoja temën e diplomës. Dola mirë dhe arrita synimin. Kryetari i komisionit na tha aty: ‘Nderoni veten tuaj’… Aty ishte babi dhe shoku im ia përktheu… (përlotet). Ndjesë, kam tre vite që s’e kam”, u shpreh Zyla.


