Incidenca e rasteve me kancer të gjirit është në rritje, dhe përfshin gjithnjë e më shpesh edhe moshat e reja, paralajmëron mjekja onkologe Anisa Çela.
Në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, ajo tha se sot po shfaqen raste të rralla edhe tek 20-vjeçaret, çka e bën të domosdoshme ndërgjegjësimin dhe kontrollet periodike për të gjitha gratë.
“Gjenetika është një nga shkaqet kryesore. Një grua që ka një nënë apo kushërirë me histori tumori gjiri duhet të bëjë ekzaminime të shpeshta, si eko apo mamografi, edhe nëse është nën 40 vjeç,” – theksoi mjekja Çela.
Sipas saj, fasha më e prekur mbetet ajo midis 50 dhe 60 vjeç, por rastet në moshat më të reja po shtohen.
“Kemi pasur paciente 20-vjeçare me tumor gjiri. Njëra prej tyre ia ka dalë me sukses – sot ka dy fëmijë dhe gëzon shëndet të plotë,” – shtoi ajo.
Mjekja theksoi se rritja e numrit të rasteve lidhet edhe me rritjen e ndërgjegjësimit dhe diagnostikimit më të hershëm, pasi mamografia mbetet ekzaminimi më i saktë për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit.


