Këngëtarja britanike Jessie J ka konfirmuar se do t’i nënshtrohet një tjetër ndërhyrjeje kirurgjikale, pasi shëndeti i saj është përkeqësuar. Lajmin e ndau me fansat përmes një videoje në Instagram, ku tregoi se pavarësisht sfidave, nuk ka ndërmend të ndalet.
“Këtë vit, nevojitet një ndërhyrje tjetër kirurgjikale – mund ta bëj. Edhe rritjen e një fëmije të vogël mund ta bëj. Edhe publikimin e muzikës së re mund ta bëj,” tha artistja, duke shtuar se e rëndësishme është të jetë realiste për rolet dhe përgjegjësitë që ka në jetë.
Në video u shfaq edhe data 29 gusht, e cila supozohet të jetë dita kur do të publikohet albumi i saj i ri. Jessie J zbuloi se ndodhet ende në proces rikuperimi, shtatë javë pas një operacioni për kancer gjiri.
“E dua muzikën, e dua jetën time dhe dua të jetoj momentin,” u shpreh ajo.
Vetëm disa ditë më parë, këngëtarja kishte treguar se ishte shtruar në spital pas dyshimeve për mpiksje gjaku, pasi ndiente dhimbje në gjoks. “Jeta është e shtresuar dhe ka ulje-ngritje. Thjesht duhet të vazhdojmë t’i jetojmë të gjitha sa më mirë që mundemi. Ja ku jam, duke jetuar,” tha Jessie J.
Radar.al


