Një incident i rëndë ka ndodhur në brigjet e Zonguldakut, në Turqinë veriore, ku një jaht luksoz i sapondërtuar me vlerë 800,000 euro u mbyt vetëm pak minuta pas nisjes së udhëtimit të parë.
Anija, e quajtur “Dolce Vento” dhe me gjatësi rreth 24-30 metra, doli fillimisht në det pa probleme, por vetëm 15 minuta më pas humbi ekuilibrin, u përmbys dhe filloi të fundosej.
Pamjet tregojnë pasagjerët në panik, disa prej të cilëve u hodhën në det për të shpëtuar. Fatmirësisht, të gjithë arritën në breg pa lëndime, ndërsa Roja Bregdetare turke ndërhyri menjëherë për të shmangur rreziqe të tjera.
Sipas ekspertëve detarë, fundosja mund të ketë ardhur për shkak të problemeve të stabilitetit dhe gabimeve teknike në llogaritjen e lartësisë metacentrike. Autoritetet kanë nisur hetimet dhe pritet një operacion për rikuperimin e jahtit.


