Një 38-vjeçar shqiptar është arrestuar përsëri në Itali, këtë herë në Cattolica të Rimin-it, pasi u kap me gati 300 gramë kokainë të ndarë në tre pako. Ai ishte liruar së fundmi nga një qendër paraburgimi për riatdhesim, por kishte arritur t’i shpëtonte dërgimit në Shqipëri.
Operacioni u zhvillua gjatë natës mes së martës dhe të mërkurës, pas një sinjalizimi për një makinë që lëvizte në mënyrë të dyshimtë në rrugët “Regina”. Pas ndjekjes nga karabinierët, automjeti u ndalua dhe gjatë kontrollit u gjet droga.
I arrestuari, i njohur për precedentë penalë dhe i varur nga substancat narkotike, u përpoq të rezistonte dhunshëm ndaj uniformave blu, duke i sulmuar me grushte, shqelma dhe me kokë, para se të vihej në pranga.
Në total u sekuestruan 285 gramë kokainë. Shqiptari u dërgua në paraburgim dhe akuzohet për posedim droge me qëllim shitjeje dhe për rezistencë ndaj forcave të rendit.
Një ditë më vonë ai u paraqit para gjykatës së Riminit, ku gjyqtari Cosenza konfirmoi arrestimin dhe urdhëroi transferimin e tij në burg. Avokatët mbrojtës Massimiliano Orrù dhe Alice Garavalli kërkuan kohë për përgatitjen e mbrojtjes, ndërsa seanca e radhës është caktuar për 24 nëntor.


