Autoritetet italiane po shqyrtojnë propozimin për t’i vendosur emrin e stilistit Giorgio Armani aeroportit të ishullit Pantelleria, si një homazh për të pas ndarjes nga jeta më 4 shtator, në moshën 91-vjeçare.
Nisma, e paraqitur nga këshilli lokal dhe e mbështetur nga ministri i Transportit, Matteo Salvini, ka marrë miratimin zyrtar edhe nga Autoriteti Italian i Aviacionit Civil (ENAC).
Armani kishte një lidhje të veçantë me ishullin, të njohur si “perlë e zezë e Mesdheut”, ku kalonte shpesh pushimet verore në vilën e tij private, të ndërtuar sipas stilit tradicional lokal dhe të rrethuar nga mbi 150 palma.
Presidenti i ENAC, Pierluigi Di Palma, deklaroi se propozimi përputhet me planet për modernizimin e infrastrukturës dhe nxitjen e turizmit në Pantelleria, e cila ndodhet mes Sicilisë dhe Tunizisë.


