Ish-trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi, foli për emisionin “Top Story” në Top Channel në prag të ndeshjes së shumëpritur Shqipëri–Serbi, duke kujtuar përplasjen e tensionuar të vitit 2014 dhe duke dhënë mesazhe të qarta për përballjen e ardhshme.
“Ishim 0-0 kur pushtuan fushën”, kujton ai për incidentet e famshme në Beograd. “Situata ishte shumë nervoze që nga aeroporti e deri te stadiumi, ku lojtarët tanë u goditën. Kanë kaluar 11 vjet dhe nuk ka më kuptim të kthehemi aty.”
Sot, sipas De Biasit, Shqipëria është një ekip ndryshe: më cilësor dhe më i përgatitur teknikisht. “Kemi lojtarë që luajnë në Serie A, në Angli, në Gjermani. Është një skuadër që ka rritur nivelin dhe ka të gjitha mundësitë të kualifikohet, veçanërisht duke pasur parasysh se për vendin e dytë luftojmë me Serbinë.”
Trajneri që udhëhoqi Shqipërinë drejt Euro 2016 konfirmoi se do të jetë në stadium për ta ndjekur ndeshjen. “Jam i ftuar nga Presidenti Duka dhe do të jem aty me kënaqësi për të mbështetur Kombëtaren.”
Por mesazhi më i fortë i De Biasit vjen për atmosferën që duhet të mbizotërojë në këtë ndeshje:
“Duhet të mendojmë vetëm për futbollin. Të lëmë pas çdo ngarkesë politike apo historike dhe të përqendrohemi te fitorja në fushë.”


