Ish-ministrja kroate e Fondeve Evropiane, Gabrijela Zalac, është dënuar me 7 muaj burg për keqpërdorim të fondeve të BE-së, pasi përdori afro 10 mijë euro për darka luksoze, përfshirë edhe festimin e ditëlindjes së saj të 40-të.
Zalac, e shkarkuar nga posti në vitin 2019 dhe e arrestuar fillimisht në vitin 2021, pranoi fajin dhe rimbursoi shumën e plotë. Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që ajo përballet me drejtësinë: në qershor, ajo u dënua me 2 vjet burg dhe 200 mijë euro gjobë për abuzime me tenderin e një sistemi IT në ministri, që përfshinte keqpërdorimin e mbi 1.3 milionë eurove.
Skandalet e njëpasnjëshme me korrupsion kanë tronditur partinë konservatore HDZ të kryeministrit Andrej Plenkoviq, ku disa ministra janë dorëhequr që prej vitit 2016 për akuza të ngjashme.


