Parlamenti Europian po diskuton sot Raportin e ecurisë së Shqipërisë në procesin e integrimit europian gjatë 2025, të hartuar nga Andreas Schieder. Para se të votohet, eurodeputetë të grupit politik The Left Group kanë propozuar 4 amendamente.
Amendamenti numër 4, i propozuar nga eurodeputetët Ilaria Salis, Danilo Della Valle, Emma Fourreau, Rima Hassan, Hanna Gedin, Jonas Sjöstedt, Sebastian Everding, në emër të Grupit të Majtë, fokusohet te mbrojtja e mjedisit në Shqipëri dhe investimi i planifikuar në Zvërnec.
“Shpreh keqardhje të thellë për faktin se Ligji shqiptar i vitit 2015 për Investimet Strategjike është zgjatur, duke pasur parasysh dispozitat e tij që mundësojnë procedura të përshpejtuara të dhënies së lejeve dhe reduktojnë shqyrtimin mjedisor, çka rrezikon të ndikojë negativisht në zonat e mbrojtura dhe zona të tjera mjedisore të ndjeshme; bën thirrje për shfuqizimin e ndryshimeve të vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, të cilat lejojnë zhvillimin e infrastrukturës turistike në shkallë të gjerë brenda zonave të mbrojtura dhe transferojnë kompetenca kyçe të qeverisjes dhe vendimmarrjes te Këshilli Kombëtar i Territorit, duke dobësuar kështu mbikëqyrjen mjedisore ; shpreh, për rrjedhojë, shqetësim lidhur me marrëveshjen e qeverisë me kompaninë Affinity Partners të Jared Kushner për zhvillimin e një projekti resorti luksoz në Sazan dhe në zonën e mbrojtur të Vjosë-Nartës; bën thirrje për mbështetje të hetimit kundër korrupsionit që aktualisht po zhvillohet nga SPAK në këtë kontekst; kërkon që e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore të garantohet kundër shtypjes nga kompanitë private të sigurisë, siç ndodhi gjatë përplasjeve të ndodhura në fund të majit 2026”,- thuhet në amendamentin numër 4.
Ndërsa amendamenti për paragrafin i ri 46a të Raportit për Shqipërinë: “Thekson faktin se Komisioni e ka paralajmëruar Shqipërinë kundër veprimeve që mund të ndikojnë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, në mes të protestave kombëtare në vazhdim lidhur me një projekt zhvillimi luksoz në shkallë të gjerë që kërcënon një zonë të mbrojtur natyrore, habitat i flamingove, fokave dhe vendeve të folezimit të breshkave; në këtë drejtim , i bashkohet kritikave të Komisionit dhe rikujton se përafrimi me rregullat mjedisore të Bashkimit Europian, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitatet, është një parakusht për anëtarësimin në BE.”
Grupi politik The Left Group kërkon që pasi Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Europian, marrëveshja për emigrantët me Italinë të pushojë së zbatuari dhe qendrat italiane të ndalimit të emigrantëve në Gjadër të mbyllen.
“Vëren se, pasi anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian të jetë përfunduar, Shqipëria nuk do të konsiderohet më një vend jashtë BE-së; vëren, për rrjedhojë, se Memorandumi Itali-Shqipëri për Migracionin do të pushojë së zbatuari dhe se qendrat italiane të ndalimit në Shqipëri duhet të mbyllen”,- thuhet në paragrafi i ri 49a që eurodeputeti Danilo Della Valle synon t’i modifikojë Raportit për Shqipërinë.
“Nënvizon rëndësinë e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe bashkëpunimit rajonal si përbërës thelbësorë të procesit të zgjerimit të Bashkimit Europian dhe mirëpret pjesëmarrjen aktive të Shqipërisë në nismat rajonale; thekson, megjithatë, në këtë kontekst, se një bashkëpunim i tillë nuk duhet në asnjë rrethanë të përdoret nga shtetet anëtare të Bashkimit Europian për të detyruar Shqipërinë, apo çdo vend tjetër kandidat, të ndërmarrë masa që do të binin ndesh me të drejtën e Bashkimit Europian; thekson faktin se bashkëpunimi nuk mund të shërbejë si mjet për të anashkaluar detyrimet e BE-së apo për të cenuar të drejtat themelore, siç ilustrohet nga vendimet e fundit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Europian në lidhje me Memorandumin e Mirëkuptimit Itali-Shqipëri; rikujton, në lidhje me këtë çështje, shqetësimet e shprehura nga Gjykata e Apelit e Romës lidhur me përdorimin aktual të qendrës së Gjadrit si një qendër e plotë ndalimi para dëbimit (“centro di permanenza per i rimpatri”), e cila duket se është në kundërshtim me nenin 9(1) të Direktivës 2013/32/BE të Parlamentit Europian dhe të Këshillit, datë 26 qershor 2013, mbi procedurat e përbashkëta për dhënien dhe heqjen e mbrojtjes ndërkombëtare; nënvizon nevojën për bashkëpunim më të thellë të sigurisë në Ballkanin Perëndimor, duke nxitur koordinim më të ngushtë mes partnerëve rajonalë për të luftuar krimin e organizuar, kërcënimet kibernetike dhe sfidat hibride; njeh rëndësinë strategjike të rajonit Adriatiko-Jonian për sigurinë europiane dhe stabilitetin ekonomik; i bën thirrje Shqipërisë të forcojë kapacitetet e saj të sigurisë detare në koordinim me BE-në dhe NATO-n, përfshirë forcimin e infrastrukturës detare, përmirësimin e sistemeve të mbikëqyrjes dhe intensifikimin e përpjekjeve për të luftuar aktivitetet e paligjshme, si trafikimi i qenieve njerëzore; inkurajon Shqipërinë të bashkëpunojë më ngushtë me shtetet bregdetare të BE-së për të siguruar mbrojtjen e rrugëve detare kritike dhe qëndrueshmërinë mjedisore në rajon”,- thuhet në amendamentin numër 6.


