Më 12 nëntor, para Seksionit të Tretë të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Romë, hapet gjyqi ndaj Mark Antony Samson, 22-vjeçarit filipinas që ka rrëfyer vrasjen e ish-të dashurës së tij, Ilaria Sula, 22 vjeçe.
Ngjarja tronditëse ndodhi në fund të marsit, kur Ilaria u godit me thikë në apartamentin e familjes Samson në Romë dhe më pas u braktis në një valixhe në periferi të qytetit. Samson akuzohet për vrasje të qëllimshme me rrethana rënduese, motive të kota, marrëdhënie emocionale me viktimën dhe fshehje të kufomës.
Nëna e Samsonit, e dyshuar për bashkëpunim në fshehjen e trupit, pritet të dalë për seancën paraprake më 28 nëntor, ku është kërkuar një dënim prej dy vitesh burg.
Prindërit e Ilaria Sulas, Flamuri dhe Gezimea, të shoqëruar nga avokati Giuseppe Sforza, kanë mbërritur në Romë për seancën e parë, duke u shprehur të tronditur, por të vendosur që drejtësia të vihet në vend. Në sallë do të jenë të pranishëm edhe vëllai, xhaxhallarët dhe të afërm të tjerë.
Seanca e nesërme do të përqendrohet kryesisht te verifikimi i pranimit të palëve civile. Përveç familjes Sula, kërkesë për t’u përfaqësuar kanë bërë edhe Universiteti “La Sapienza”, ku studionte Ilaria, dhe disa shoqata për mbrojtjen e viktimave të dhunës.
Gjykata do të shqyrtojë legjitimitetin e këtyre kërkesave para se procesi të vijojë me rindërtimin e ngjarjes tragjike, një histori që ka tronditur opinionin publik në Shqipëri dhe Itali.
Në sallën e gjyqit pritet një atmosferë e rënduar, ndërsa detajet e fundit të jetës së Ilaria Sulas do të rikthehen përpara togave të zeza dhe familjarëve, të cilët përpiqen të gjejnë forcë për të përballuar tragjedinë.


