Ushtria izraelite (IDF) ka njoftuar se ka shkatërruar një tjetër urë me rëndësi strategjike mbi lumin Litani, në jug të Libanit.
Sipas IDF-së, ura dyshohet se përdorej nga milicia Hezbollah, e mbështetur nga Irani, për kontrabandimin e armëve drejt jugut të vendit. Ushtria bëri të ditur se sulmi është kryer gjatë ditës së sotme.
Autoritetet izraelite shtojnë se gjatë javëve të fundit janë shkatërruar gjithsej shtatë ura dhe kalime në këtë zonë, të cilat janë pjesë e infrastrukturës civile dhe lidhin jugun me pjesën tjetër të Libanit.
Edhe burime të sigurisë në Liban kanë konfirmuar shkatërrimin e këtyre urave, duke theksuar se sulmet kanë kufizuar ndjeshëm qarkullimin dhe aksesin në jug të vendit.
Ndërkohë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit, rreth 1500 persona kanë humbur jetën nga sulmet izraelite që prej nisjes së përshkallëzimit të fundit, pesë javë më parë.


