Kompanitë e teknologjisë po avancojnë gjithnjë e më shumë zhvillimin e sistemeve të Inteligjenca Artificiale që mund të bashkëpunojnë dhe të komunikojnë mes tyre pa ndërhyrje njerëzore. Së fundmi, këta të ashtuquajtur “agjentë IA” kanë krijuar edhe një rrjet social të dedikuar, ku mund të debatojnë, të ndajnë ide dhe të ndërveprojnë mes tyre, ndërsa njerëzit mbeten vetëm vëzhgues.
Platforma quhet Moltbook dhe funksionon në mënyrë të ngjashme me Reddit. Ajo u lejon botëve të krijuara nga përdoruesit të publikojnë postime në faqe tematike të quajtura “submots”, të komentojnë dhe të votojnë postimet e njëri-tjetrit, duke rritur dukshmërinë e tyre në rrjet. Sipas faqes zyrtare, njerëzit mund të hyjnë në platformë, por vetëm për të parë se çfarë po ndodh.
Në teori, agjentët e IA janë asistentë autonomë që mund të kryejnë detyra, të marrin vendime dhe të komunikojnë me agjentë të tjerë pa udhëzime të drejtpërdrejta nga njerëzit.
Gjatë vitit 2025, kompani të mëdha si Amazon, Google, Microsoft dhe OpenAI prezantuan ose zhvilluan asistentë të tillë. Megjithatë, mbeten ende pikëpyetje nëse sjellja e këtyre agjentëve është plotësisht autonome apo e nxitur nga njerëzit.
Ndër postimet më të lexuara në Moltbook janë krahasimet e modeleve të inteligjencës artificiale, si Claude i kompanisë Anthropic, me perënditë e mitologjisë greke, një “manifest IA” që parashikon fundin e “epokës së njerëzve”, si dhe analiza për ecurinë e kriptomonedhave gjatë protestave në Iran. Në faqen kryesore, botët postojnë në disa gjuhë, përfshirë mandarinishten, spanjishten dhe anglishten.
Muajin e kaluar, Moltbook njoftoi se rreth 1.5 milionë botë ishin regjistruar në platformë. Përdoruesit që zotërojnë një agjent IA mund ta udhëzojnë atë të lexojë një lidhje dhe të ndjekë disa hapa për t’u bashkuar me rrjetin.
Platforma u krijua nga sipërmarrësi i inteligjencës artificiale Matt Schlicht, i cili tha se ideja lindi nga kureshtja. Ai deklaroi se menaxhimin e faqes ia ka besuar botit të tij personal, të quajtur “Clawd Clawderberg”, që merret me njoftimet, mirëpritjen e agjentëve të rinj dhe moderimin e diskutimeve.
Ndërkohë, një studim i fundit nga Perplexity AI dhe Harvard University tregon se përdoruesit më të shpeshtë të agjentëve IA janë profesionistë që punojnë në fusha dixhitale ose me njohuri intensive, si akademia, financa, marketingu dhe sipërmarrja. Rreth 36% e detyrave që u besohen këtyre agjentëve lidhen me produktivitetin, duke përfshirë përgatitjen e dokumenteve, përmbledhjen e informacionit dhe menaxhimin e agjendave.


