TROPOJË– Shtetasi Vladimir Rama, 46 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Marrëdhënie seksuale me dhunë”, është arrestuar sot në Tropojë.
I arrestuari, banues në fshatin Fierzë, ishte në kërkim pas një vendimi të Gjykatës së Apelit të Triestes, në Itali, e cila e ka dënuar me 6 vite burgim për kryerjen e kësaj vepre penale.
Pas arrestimit autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë, në zbatim të marrëveshjes ndërkombëtare të bashkëpunimit në fushën penale.
Njoftimi i policisë:
Tropojë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Alert”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
I dënuar në Itali, me 6 vjet burgim, për marrëdhënie seksuale me dhunë, kapet dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 46-vjeçari.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në vijim të punës për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Alert”, si rezultat i të cilit u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi:
Vladimir Rama, 46 vjeç, banues në fshatin Fierzë, Tropojë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Triestes, Itali, e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale me dhunë”. Interpol Tirana do të kryejë procedurat në bashkëpunim me Interpol Romën, për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali./Radar.al


