Menjëherë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur sot në zonën e Balldrenit në Lezhë, ka ardhur reagimi nga ana e policisë.
Teksa bëri me dije se një i ri u gjet i pajetë në makinën e tij, policia njofton se ekzistojnë dyshimet nëse kemi të bëjmë me një vrasje apo vetëvrasje.
Dyshimet shtohen për faktin se në makinën e të riut nuk u konstatua asnjë shenjë plumbi ndërsa në mjet u gjet një armë zjarri.
Deri më tani akoma nuk kanë dalë detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë.
Kujtojmë se viktima është Romario Brunga.
Lezhë/Informacion Paraprak
Në rrugën e vjetër të Balldrenit është gjetur i pajetë brenda në automjetin e tij, shtetasi R. B., rreth 25 vjeç.
Nga veprimet e para të kryera në vendngjarje nga grupi hetimor, është gjetur brenda në automjet një armë zjarri, tip pistoletë, dhe një gëzhojë.
Po nga veprimet e para, rezulton se automjeti nuk ka dëmtime të jashtme nga armë zjarri, ndërsa viktima ka vetëm një plagë të shkaktuar nga armë zjarri.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive në vendngjarje për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, për të përcaktuar nëse kemi të bëjmë me vetëvrasje apo me vrasje.
Në lidhje me këtë ngjarje do të ketë informacion më të plotë pas përfundimit të veprimeve të para hetimore.


