
Por në geto shumë vetë gjetën vdekjen prej epidemive dhe urisë.“Fjala uri ka një vend të veçantë në vokabularin e trurit tim”, thotë Weintraub. Sot uri mund të thuash, kur nuk ke nrënë drekë, por kjo nuk është në fakt uri, është thjeshtë një oreks i shtuar. Unë kam vuajtur pesë vjet, shtatë muaj dhe tri javë, me një përjashtim të vetëm, nga uria. Nuk mund të flija nga dhimbja e presionit në stomak dhe po me këtë dhimbje ngrihesha në mëngjes. I vetmi mendim që kisha ishte, se si të gjeja diçka për të ngrënë, që të mbushja stomakun.”
Transporti në Auzhvic-Birkenau
Në verën e vitit 1944 getoja shpërbëhet. Presidenti i qeverisë rajonale, Friedrich Übelhöhe, më 1939 u kishte dërguar një letër krerëve nazistë, ku shkruante: “Krijimi i getos vetëkuptohet që është vetëm një masë e përkohshme. Se kur dhe në çfarë mënyre do të spastrohet getoja e hebrenjve në Lozh, këtë të drejtë ia rezervoj vetes për ta vendosur. Qëllimi final duhet të jetë në çdo rast, që ne ta djegim plotësisht këtë çiban murtaje.”

Banoreve dhe banorëve të getos u premtohej në mënyrë cinike, se do t’i dërgonin diku tjetër, ku mund të punonin për “të mirën e Rajhut të Tretë”.
Leon Weintraub, ashtu si shumë të tjerë, deportohet në kampin e shfarosjes Auzhvic-Birkenau. Kjo ishte thjesht një geto tjetër, pretendonin nazistët. “Por pastaj erdhi një tren mallrash, më shumë i destinuar për transportin e bagëtive se sa për njerëz”, tregon ai. “Ne na ngjeshën nëpër vagonë, aq ngushtë, se mund të qendronim vetëm në këmbë. Dyert u mbyllën me shul, nuk kishte ushqim e as ujë. Binte nata, zbardhte dita, e përsëri vinte nata.” Era e kovës për nevojat personale kutërbonte.
Dikur dyert u hapën, dikush ulëriti: “Dilni, dilni.” Ai ende nuk e kishte të qartë, se ku i kishin sjellë nazistët njerëzit”, tregon Weintraub. Ai i kishte thirrur nënës: “Shihemi aty brenda.” Por shpejt e kuptoi, se ata nuk kishin mbërritur në një geto tjetër. Ai pa, se telat me gjemba që rrethonin zonën ishin me elektricitet. Në të ashtuquajturin “Seleksionim” përpara binarit famëkeq 18 vjeçari pa për herë të fundit nënën e tij. SS-vendosnin, se kush lejohej të jetonte dhe kush jo: “Gishti i madh drejtuar djathtas, nënkuptonte i paaftë për punë, gishti i madh drejtuar majtas, shtyrje e vdekjes”, thotë Weintraub. Nëna e tij vdes po atë ditë në dhomën e gazit.

Për 18-vjeçarin Leon nisi kalvari i vuajtjes. “Filloi procedura e dehumanizimit”, kujton ai. Njerëzit u zhveshën, i futën në dush, iu prenë flokët dhe u dezinfektuan. “Na zhveshën nga gjithçka e vullnetit njerëzor. Ata na drejtonin dhe ne s’na mbeti gjë tjetër veçse të zbatonim urdhërat.”



